Secondary Adv

Rama: Nga 2026 matësa inteligjentë të energjisë, rritje pagash në OSHEE

Kryeministri Edi Rama prezantoi projektin “OSHEE Charge”, duke e cilësuar si një nismë strategjike që do të nxisë përdorimin e automjeteve elektrike dhe do të rregullojë tregun e karikimit në vend.

Gjatë aktivitetit, Rama theksoi se përfshirja e OSHEE-së në këtë sektor si aktor kryesor do të garantojë një politikë nxitëse për përdoruesit e automjeteve elektrike. Ai bëri të ditur se konsumatorët që karikojnë automjetet në banesat e tyre do ta blejnë energjinë me të njëjtin çmim si për konsum shtëpiak, pasi karikimi gjatë natës është ekonomikisht i favorshëm për kompaninë.

 

OSHEE në tregun e karikimit të automjeteve elektrike

“OSHEE do të ndjekë një politikë agresive nxitjeje duke i dhënë mundësi të gjithë atyre që karikojnë automjetin e tyre elektrik në parkimin e apartamentit apo shtëpisë, që ta blejnë me të njëjtin çmim si energjinë shtëpiake. Duke u futur në treg si aktor kryesor, OSHEE do të imponojë një rregullim të menjëhershëm të një tregu ku deri tani janë shfaqur keqkuptime të mëdha”, deklaroi Rama.

 

Matësat inteligjentë dhe qendra e të dhënave

Kryeministri njoftoi se brenda vitit të ardhshëm do të nisë puna për implementimin e matësave inteligjentë të energjisë, me rreth 350 mijë njësi në fazën e parë, një proces që pritet të përfundojë brenda mandatit aktual. Ai shtoi se është në zhvillim edhe ngritja e një qendre të re moderne të të dhënave në Shqipëri.

 

“Ky sistem do të ulë ndjeshëm humbjet teknike dhe do të përmirësojë cilësisht faturimin e konsumatorëve”, tha Rama, duke e lidhur projektin me objektivin kombëtar për të arritur pavarësi të plotë energjetike deri në vitin 2030.

 

Rritja e pagave për punonjësit e OSHEE-së

Rama bëri të ditur se për 6800 punonjësit e OSHEE-së do të ketë një indeksim pagash me 6.1 për qind. Për elektricistët do të ketë një rritje prej 75 mijë lekësh në muaj, ndërsa për inxhinierët rritja do të jetë 12 500 lekë në muaj. Ai e vlerësoi këtë si një masë të merituar për stafin që po përmirëson vazhdimisht cilësinë e shërbimeve energjetike.

 

Objektivi: Shqipëria eksportuese neto e energjisë

Rama theksoi se projektet e reja do ta çojnë Shqipërinë drejt statusit të një vendi eksportues neto të energjisë së rinovueshme, duke fituar një avantazh strategjik në rajon. “Është vetëm çështje pak vitesh që të shpallim sovranitetin energjetik dhe të mos jemi më të varur nga importet apo krizat e jashtme”, deklaroi ai.

 

Aktiviteti u ndoq edhe nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në daljen e saj të parë publike krah Ramës pas zhvillimeve të fundit në SPAK.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat